Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se vendi duhet shkuar në zgjedhje sa më shpejtë që të jetë e mundur në bazë të afateve kushtetuese. Ai ka thënë se fundi i janarit do të ishte koha e përshtatshme për të shkuar në zgjedhje.
Pas takimit që ka zhvilluar me u.d së presidentes Vjosa Osmani, për të diskutuar për datën e zgjedhjeve, ka thënë se është e domosdoshme të mos humbet kohë.
“Besojmë që fundi i janarit do të ishte më e përshtatshme. Është e domosdoshme të mos humbim kohë, për shkak se edhe viti i ardhshëm po vjen më shumë probleme sa i përket funksionimit të institucioneve, krizës ekonomike”, tha ai.
Krasniqi ka thënë se Qeveria e re duhet zgjedhur para se ushtrueses së detyrës së Presidentes t’i kalojë mandati, në të kundërtën sipas tij, do të hyjmë në një krizë të papërjetuar institucionale.
“Rreziku është që të kemi një situatë të papërjetuar më parë sa i përket funksionimit të institucioneve. Dhe është më rendësi që të kemi një datë për zgjedhje në një afat sa më të hershëm në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, shtoi ai.
I pyetur për koalicionet e mundshme ka thënë se tash nuk është ky prioriteti i tyre, por nuk e ka përjashtuar që të ketë koalicione më parti më të vogla./EO