UBT News

Krasniqi: Duhet të dakordohemi për një fushatë të shkurtuar

Partia Demokratike e Kosovës po kërkon reagim urgjent nga institucionet, për të ndaluar hovin e përhapjes e virusit delta, ndërsa po e konsideron dështim menaxhimin e pandemisë, meqë thonë se e ka neglizhuar fushatën vetëdijesuese dhe procesin e vaksinimit.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në një konferencë për media, ka thënë se kjo situatë nuk është për betejë politike, por që qytetarët të kenë me kohë mbështetje nga institucionet, ndërsa ka bërë thirrje për pezullimin e pushimeve dhe Kuvendi i Kosovës të mbajë sa më parë seancën për rishikim të buxhetit. Ai ka folur për letrën publike të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut që fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit të mbahet vetëm 10 ditë. Sipas tij, duhet të ketë një koordinim për një fushatë të shkurtuar.

“Unë e konsideroj tepër të rëndësishme që zgjedhjet e 17 tetorit të zhvillohen padyshim në nivelin e transparencës dhe demokracisë, që tashmë e kemi dëshmuar. Por në këtë situatë duhet t’i jepet prioritet ruajtjes së shëndetit publik, pra krijimit të kushteve që qytetarët kur t’i drejtohen kutive të votimit të kenë siguri që shëndeti i tyre nuk dot ë rrezikohet. Fushata zgjedhore dhe shkurtimi i saj, gjithsesi duhet të trajtohet. Në mbledhjen e fundit të kryesisë kemi diskutuar edhe për këtë çështje dhe ka një mendim se duhet të diskutojmë për t’u dakorduar për një fushatë të shkurtuar”, tha Krasniqi.

Kreu i partisë më të madhe opozitare në vend tha se gjatë kësaj vere ka pasur keqmenaxhim të sigurimit të vaksinave, keqmenaxhim në administrimin e procesit të vaksinës, mungesë të fushatës për vaksinim. Sipas tij, nëse do të organizohej vaksinimi edhe në vikend, sot do të kishte të vaksinuar edhe 250 mijë qytetarë.

“Jam këtu edhe për të kërkuar një reagim urgjent dhe angazhim maksimal të institucioneve shtetërore, për ta ndalur këtë hov të kobshëm të pandemisë, e për ta treguar sërish edhe gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës që të jep kontributin e saj në Kuvendin e Kosovës, për të marrë vendime në ndihmë të qytetarëve dhe për tejkalimin sa më parë të kësaj tragjedie. Të dhënat e IKSHPK-së në vetëm 14 ditët e fundit tregojnë për një bilanc tragjik në 231 qytetarë që humbën jetën në përballjen e virusit si dhe me një numër prej 26 mijë raste të reja të infektimit”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka theksuar se që nga qershori bota po përgatitej për përhapjen e virusit në variantin Delta, por jo edhe Kosova, ku ka rritje të rasteve prej 6100 për qind.

“Vetëm për një muaj kemi pasur rritje 6100 për qind të rasteve të reja. E mjerisht gjitha këto paralajmërime i pa Qeveria e Kosovës, e nuk i kushtoi rëndësi përhapjes së këtij varianti. Ajo nuk ndërmori masat adekuate për të parandaluar rrezikun e fluksit të infektimit. Përkundrazi në mënyrë të vazhdueshme kjo qeveri kemi parë relativizim të vazhdueshëm të situatës dhe një aktrim të normalitetit në një situatë skajshmërisht jo normale”, tha Krasniqi.

I pari i PDK-së ka shtuar se Kuvendi i Kosovës duhet të pezullojë pushimet dhe sa më parë të mbahet seanca plenare për rishikim të buxhetit.

“Ftoj që Kuvendi i Kosovës t’i pezullojë dhe përfundojë pushimet, në mënyrë që ta rishikojmë së pari Ligjin për Buxhetin dhe të gjitha këto nevoja emergjente t’i reflektojmë në buxhet, në mënyrë që kjo gjendje e rëndë me pandeminë së paku të filloj e të bëhet më e lehtë për qytetarët. Përballë kësaj tragjedie, sot nuk duhet të ketë prioritet më të madh se sa shpëtimi i jetës së qytetarëve tanë”, tha Krasniqi.

Derisa ka folur për skadimin e mbi 133 mijë vaksinave AstraZeneca, Krasniqi ka thënë se faji nuk është te qytetarët. Nga pushteti është kritikuar deklarimi publik i deputetit Bekim Haxhiu muaj më parë në lidhje me skadimin e afatit të këtyre dozave, por Krasniqi tha se nuk mund t’i hedhet faji një deputeti.

“Për zëdhënësin e qeverisë unë e lexova pak më herët dhe është për keqardhje, sepse e vërteta është që qeveria e ka neglizhuar totalisht edhe fushatën e vetëdijesimit, por edhe procesin e vaksinimit. Sot nuk ka vaksina, ndërsa atyre u ka skaduar afati 140 mijë vaksinave. Nuk mundesh t’i hedhësh fajin një deputeti. Një deputet që ka ftuar për vetëdijesim. Zotëri Haxhiu e ka ngritur zërin për çështjen e pandemisë në mënyrë të vazhdueshëm”, tha Krasniqi.

Sa i përket pamundësisë së Sokol Bashotës për kandidim për kryetar komune në Klinë, Krasniqi ka thënë se aktualisht nuk kanë ndonjë emër për zëvendësim. 

Exit mobile version