Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se institucionet duhet të zotohen për drejtësi.
Pas homazheve në Kompleksin Memorial në Reçak, ai u shpreh se masakra në këtë fshat të Shtimes është ndër më të tmerrshmet në vend.
“Përkujtojmë një ndër masakrat më të tmerrshme të luftës tonë për liri, dhe në këtë ditë përkujtojmë të gjitha viktimat e gjenocidit serb në Kosovë. Ky është një moment për secilin prej nesh e në radhë të parë për institucionet dhe për klasën politike që edhe një herë të zotohen se asnjë prej nesh nuk duhet të ndjehemi rehat derisa të ketë drejtësi për secilën jetë të dhënë per lirinë e Kosovës”, tha ai.
E kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza tha Reçaku është dhimbje por edhe “gur i madh në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.
“Është një dhimbje po është edhe nje gur i madh në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ne do të punojmë fort që historia të ruhet të ndërtohet memoriali i gjenocidit, dhe respekt dhe përulësi deri në përjetësi për të rënët e Reçakut”, u shpreh ai.
Në 26-vjetorin e masakrës në këtë fshat të Shtimes, po vendosen lule pranë varreve të 45 civilë e shqiptarë.
Gra, fëmijë e të moshuar u vranë nga forcat policore dhe ushtarake serbe.
I pari që i tha botës që në këtë fshat të Shtimes po kryhet krim kundër njerëzimit, ishte shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.
Të gjitha të dokumentuara, por Serbia ende e mohon masakrën e 15 janarit 1999 e cila shënoi kthesën e madhe për historinë e Kosovës.