UBT News

Krasniqi: Beteja me Covid-19 nuk është betejë politike, Kuvendi të ndërpresë pushimin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një konferencë për medie, ka kritikuar ashpër Qeverinë për keqmenaxhim të situatës me pandeminë Covid 19, duke theksuar se kjo nuk është betejë politike, por është betejë për shpëtimin e jetës së qytetarëve të vendit.

Krasniqi ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së për krijimin e një fronti të përbashkët për t’i dalë në ballë pandemisë dhe krah nevojave të qytetarëve.

“Qytetarët tanë duhet të gjejnë siguri më të madhe për t’u mbështetur në institucionet e veta, që të mos lihen e të ndihen të lënë anash e të vetmuar për asnjë çast në këtë përballje. Për këtë shkak, dy ditë më parë unë i kam dërguar një letër Kryeministrit Kurti, në të cilën kam shprehur gatishmërinë e PDK-së që në Kuvendin e Kosovës të ofrojë zgjedhje për qytetarët. Që nga fillimi i pandemisë, PDK, duke qenë në opozitë, ka dhënë ndihmën e saj në hartimin dhe votimin e Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID 19, si dhe Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike. E po ashtu, kemi mbështetur marrëveshjet ndërkombëtare që synonin ndihmën për institucionet dhe kapacitetet shëndetësore përballë Covid-19”, ka thënë ai.

Krasniqi kërkoi edhe një herë që deputetët të kthehen nga pushimi në Kuvendin e Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin krahas nevojave të sektorit shëndetësor në luftë me pandeminë.

“Është e qartë se mungesa e vaksinave si top prioritet për ballafaqim me Covid-19 është një problem që kërkon zgjidhje emergjente. Organizimi funksional, non-stop dhe mobil i procesit të vaksinimit, kërkon veprim të menjëhershme. Furnizimi me medikamente për të infektuarit, në çdo qendër trajtimi, kërkon veprim të menjëhershëm. Mbështetja meritore e profesionistëve shëndetësorë kërkon vendimmarrje serioze, të qëndrueshme dhe të menjëhershme”, tha ai.

Kryetari i PDK-së kërkoi që të gjitha këto nevoja emergjente të reflektohen në buxhet, në mënyrë që kjo gjendje e rëndë me pandeminë t’u bëhet më e lehtë qytetarëve të Kosovës.

Exit mobile version