Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki e ka quajtur “spektakël të zbehtë dhe qesharak”, vendimin e deputetëve të partive tjera politike për të qëndruar në sallë plenare pas ndërprerjes së seancës.
Ai tha se është për keqardhje që edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka interpretime të ndryshme.
“Po konfirmohet keq-leximi dhe keq-interpretimi i aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Sjellja nuk ka ndryshuar përkundër ndryshimit që ne e kemi bërë në anën tonë dhe lëshimit, gatishmërisë që të lëshojmë pe me dy mundësi ose të shkojmë te votimi i komisionit dhe ta refuzojmë komisionin dhe ta rrëzojmë dhe pastaj të kalojmë në pako me zonjën Haxhiu së bashku me kryetarët e Kuvendit ose të votohet në mënyrë të fshehtë sepse sipas neve Gjykata Kushtetuese veç e ka konfirmuar atë. Dhe krejt ata që u bënë ekspertë të drejtës kushtetuese duhet ta dinë që kur një gjë thuhet në një vendim të formës së prerë nuk mund ta interpretosh në disa forma”, deklaroi Kraki.
Pas ndërprerjes së seancës konstituive nga kryesuesi Avni Dehari i LVV-së, partitë e tjera kanë qëndruar në sallën plenare.
Deputeti i LVV-së e konsideroi si “spektakël të zbehtë dhe qesharak”.
“Ani shumë mirë, ne kemi javë që i bëjmë thirrje deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe gjithëve aty që të mos vijnë në sallë për badihava. Dhe ata kanë gati tre muaj tash që vijnë veç hajt dhe kjo ardhja në sallë veç hajt sa për spektakël kanë nisur me i dalë boja edhe kësaj ardhje tash qëndrimi në sallë nuk ka asnjë simbolik aty, është vetëm spektakël i zbehtë i cili nuk thotë asgjë. Po të kishin ata vullnet që të bëjnë kuvendin dhe të ja mundësojnë Kosovës që të ketë institucione do e çonin dorën për, kundër. Këto spektakle janë sa të zbehta aq edhe qesharake”, shtoi ai.