Jo vetëm në vendvotime, por votat do të numërohen edhe në Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat do të caktohen në çdo komunë dhe do të vendosen kryesisht në palestra sportive.
Sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2023, numërimi i fletëvotimeve ka pësuar disa ndryshime nga proceset e kaluara zgjedhore.
Kjo është prezantuar me anë të një videomesazhi nga Zëdhënësi i KQZ-së, Vamir Elezi, në kuadër të një fushate informuese për ndryshimet ligjore.
Sipas Elezit, pasi të përfundojë procesi i votimit, në vendvotime do të numërohet vetëm vota për subjektet politike, ndërsa një ditë më pas në Qendra Komunale të Numërimit do të fillojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.
“Në ditën e zgjedhjeve, në vendvotime do të numërohet vetëm pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike. Kjo ia mundëson KQZ-së që brenda një kohe të shpejtë të publikojë rezultatet preliminare për subjektet politike. Një ditë më pas, në Qendra Komunale të Numërimit, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit, pra vota për kandidatët për deputetë”, njofton Elezi.
Më tej, sipas tij, “gjatë proceseve zgjedhore, në çdo komunë dhe kryesisht në palestra sportive, KQZ do të themelojë Qendrat Komunale të Numërimit”./UBTNews/