Për herën e dytë gjatë ditës, KQZ ka mbajtur mbledhje për të vendosur në lidhje me 26 fletëvotime, të cilat nuk i kanë pasur të shënuara të dhënat e kompletuara në kopjet e dokumentit identifikues.
Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë votuar pro miratimit të rekomandimit të Divizionit të Shërbimit të Votuesve, që këto pako me fletëvotime të aprovohen dhe të procedohen për numërim në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Votuesit jashtë Kosovës që i përkasin komunës së Dragashit, kanë qenë të obliguar që në kopjen e dokumentit identifikues të shkruajnë së paku emrin, mbiemrin, emrin e babait dhe datën e lindjes.
Kanë qenë gjithsej 26 persona që kanë dërguar fletëvotime por që nuk i kanë shënuar të dhënat e kompletuara.
Anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Florian Dushi theksoi se kjo godet në tërësi procesin.
“Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, ndjeshmërisë së rezultatit, kjo do të përbëjë bazë dhe ka elemente për të goditur procesin në tërësi. Nëse ka ndonjë mundësi që të veçohet jam në rregull, por nuk e di që ka mundësi”, u shpreh ai.
Edhe Alim Rama nga Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundër numërimit të këtyre votave.
“A bën t’i veçojmë ato 26, mos të marrim vendimin, le të vendos PZAP. Në qoftë se këto numërohen, atëherë kontaminojnë procesin”, ka deklaruar ai.