Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), tashmë e ka filluar procesin e verifikimit të nënshkrimeve në peticionin e organizuar në katër komunat veriore, ku kërkohet shkarkimi i kryetarëve aktual.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se po verifikohet nëse personat që janë nënshkruar kanë të drejtë vote në komunën përkatëse.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë këto lista me nënshkrime, pra nëse personat që kanë nënshkruar janë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse”, tha ai.
Elezi tha se ende nuk dihet se kur do të përfundoj procesi i verifikimit, derisa shtoi se në momentin që përfundohet do ta njoftojnë Ministrinë, kryesuesit e kuvendeve komunale, kryetarët e komunave dhe grupet nismëtare.
“Sigurisht se ky proces do të na marrë kohë pasi të dhënat që i kemi pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të jap ndonjë datë të saktë, por pas përfundimit të tij, do të njoftojmë Ministrinë, Kryesuesit e Kuvendeve Komunale, Kryetarët e Komunave dhe Grupet Nismëtare. Natyrisht se përgjigja e KQZ-së do të bëhet edhe publike”, tha ai.