Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) u ka kthyer përgjigje qytetarëve serbë të cilët i kishin dërguar këtij institucioni formularë të plotësuar për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarëve në veri.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se kanë njoftuar ata që sipas akteve nënligjore të MAPL-së, kjo çështje duhet të dorëzohet të kryesuesi i Kuvendit Komunal në komunat përkatëse.
“Mund t’iu konfirmoj se shkresat të cilat i kemi pranuar më 5 dhjetor përmes e-mailit, janë shqyrtuar dhe u kemi kthyer përgjigje, me anë të të cilave i kemi njoftuar se sipas akteve nënligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kjo çështje duhet të adresohet tek Kryesuesi i Kuvendit Komunal në komunat përkatëse, andaj i kemi udhëzuar që kërkesat e dorëzuara në KQZ t’i adresojnë tek autoriteti kompetent”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës në këtë institucion.