UBT News

KQZ thotë se 28 subjekte politike aplikuan për certifikim për zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) ka bërë të ditur se 28 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Sipas një njoftimi për media, pas mbylljes së afatit zyrtar, në mesin e 28 subjekteve politike janë 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Në mesin e subjekteve janë parti shqiptare, të komunitetit serb, dhe komuniteteve tjera më të vogla në Kosovë.

KQZ-ja duhet t’i konfirmojë listat më së voni deri më 25 dhjetor.

Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.

Në fund të majit dështoi një nismë e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në zgjedhjet të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit.

Kjo mundësi u kundërshtua nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kërkuan që Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti të jepte dorëheqje apo të shkarkohej. Por, këto dy kërkesa u kundërshtuan nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit./REL/

Exit mobile version