UBT News

KQZ tërheq mbi 13 mijë pako me vota jashtë Kosovës, fillon vlerësimi i tyre

Katër ditë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka tërhequr mbi 13 mijë pako të supozuara me fletëvotime, të cilat i takojnë votimit me postë, për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave.

Ndërkohë, të enjten në mesditë ka filluar edhe procesi i vlerësimit dhe verifikimit të tyre.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për KosovaPress se këto 13 mijë pako, u përkasin votuesve nga 22 shtete të ndryshme të botës, raporton KosovaPress.

Gjatë ditës së martë dhe të mërkurë, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, është bërë tërheqja e më shumë se 13 mijë pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave”, tha Elezi.

Elezi ka thënë se të enjten në mesditë, para numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë vendit, ka filluar edhe procesi i vlerësimit dhe verifikimit të tyre, që ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar nga shtetasit e Kosovës që janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës.

Para numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë vendit, të enjten në mesditë ka filluar procesi i vlerësimit dhe verifikimit i tyre, që ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar nga shtetasit e Kosovës që janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës. Pra, procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen 13 mijë pako dhe në fund do të kemi më shumë detaje lidhur më këtë proces”, tha Elezi.

KQZ i referohet këtyre pakove si “pako të supozuara me fletëvotime” pasi në këtë fazë nuk mund të dihet me saktësi nëse brenda tyre ka fletëvotime dhe nëse të njëjtat janë dorëzuar nga votuesit e regjistruar.

Gjatë periudhës së regjistrimit 23 korrik – 29 gusht 2025, numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës në raundin e dytë të zgjedhjeve ishte 29 mijë e 725.

Me 9 nëntor është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave në Kosovë, ku qytetarë me të drejtë vote ishin 1 milion e 316 mijë e 672, ndërkaq 432 mijë e 107 qytetarë apo 32.82 për qind e shfrytëzuan të drejtën e votës.

Pas numërimit të votave jashtë Kosovës, do të numërohen edhe ato me nevoja të veçanta dhe votat me kusht./KP

Exit mobile version