Të martën pasdite pritet të fillojë numërimi i votave të ardhura me postë në adresë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, raporton EO.
Kështu tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili theksoi se numri i zarfeve të individualizuara me fletëvotime që do të numërohen është 2,379.
Në bazë të listës së publikuar nga KQZ, numri më i madh i fletëvotimeve nga jashtë Kosovës i takojnë komunës së Junikut, 670 të tilla. Numërimi i këtyre fletëvotimeve do të thotë shumë për rezultatin e ngushtë ndërmjet dy kandidatëve që garojnë për kryetarin e kësaj komune.
Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, kandidati i LDK-së Ruzhdi Shehu (1,199) ka një epërsi prej 29 votash nga kandidati i AAK-së, Agron Kuçi (1,170).
Edhe në Dragash rezultati është shumë i ngushtë. Kandidati i PDK-së, Shaban Shabani (5,648) është në epërsi prej 47 votash në raport me kandidatin e LDK-së, Bexhet Xheladini (5,601).
“Gjatë ditës së martë, 16 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë me numërimin e fletëvotimeve të cilat janë dërguar nga jashtë Kosovës gjatë periudhës së votimit, 29 tetor – 12 nëntor. Tashmë shërbimi votues i KQZ-së ka bërë vlerësimin e 1,571 pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura përmes postës. Nga procesi i vlerësimit, del se nga këto pako numri i zarfeve të individualizuara me fletëvotime është 2,658, prej të cilave janë aprovuar 2.379, ndërsa pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore janë refuzuar 279 pako. Këto fletëvotime u takojnë komunave 19 komunave të ndryshme”, tha Elezi.
Ndërkaq, KQZ-ja akoma nuk ka bërë të ditur se sa është numri i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta në 21 komunat ku u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë duke u zhvilluar të gjitha procedurat e parapara që gjithashtu sa më shpejt që është e mundur të fillojmë me numërimin e votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta”, tha Elezi.
Të dielën, më 14 nëntor, u mbajt procesi i votimit në 21 komuna: Gjakovë, Drenas, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamush dhe Kllokot.