UBT News

KQZ shpërndan broshura informuese për procesin e regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) prej disa javësh ka filluar me kampanjë informuese për qytetarët e Kosovës, meqë shumë shpejtë do të bëhet e ditur edhe data e mbajtjes së procesit zgjedhor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një prononcim për media tha se po shpërndajnë broshura informuese për procesin e regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës.

“Meqenëse jemi në një periudhë në prag të fillimit të procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, pasi së shpejti pritet edhe të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, prej disa javëve Komisioni i Zgjedhjeve ka filluar me disa kampanja informuese për qytetarët e Republikës së Kosovës. Pasi ditë më parë kemi filluar fushatën informuese për disa nga ndryshimet në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, sot kemi filluar kampanjën tjetër informuese. Së bashku me kolegët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve po shpërndajmë broshura informuese për procesin e regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës”tha Elezi.

Elezi potencoi se përmes shpërndarjes së këtyre broshurave për mërgimtarët, ata do të mund të informohen se si do të realizohet procesi i votimit jashtë Kosovës.

Ai tha se këto fletushka dhe broshura po shpërndahen në aeroportin “Adem Jashari” dhe në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës.

“Jemi në kohë të pushimeve dhe është periudhë ku mund të takojmë numër sa më të madh të qytetarëve të bashkatdhetarëve të cilët kanë ardhur për vizitë pë pushime në Kosovë. Me anë të këtyre broshurave po shpërndajmë informacione se si do të realizohet procesi i regjistrimit të votueseve jashtë Kosovës. Pastaj edhe faza tjetër që është procesi i votimit jashtë Kosovës. Përveç shpërndarjes së fletushkave apo broshurave informuese në sheshet e Prishtinës, këtë gjë po e bëjnë kolegët tjerë edhe ne Aeroportin ‘Adem Jashari’ si dhe në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës”tregoi Elezi.

Të enjten, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se shumë shpejtë do të bëhet e ditur data se kur do të mbahet zgjedhjet në Kosovë.

Exit mobile version