UBT News

KQZ shpalos planin për ditën e zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e sotme ka prezantuar raportin lidhur me fazën përfundimtare të procesit përgaditor të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Sipas raportit, është përmbyllur procesi i trajnimit të anëtarëve të Këshillave të vendvotimit, të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve, ndërkaq gjatë ditës së sotme në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë është mbajtur trajnimi me të gjithë administratorët e teknologjisë informative për përdorimin e teknologjisë informative në dorëzim-pranimin e materialeve zgjedhore dhe numërimin e fletëvotimeve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale.

Në mbledhje u bë e ditur se në kuadër të përgatitjes së procesit zgjedhor, janë shpërndarë pajisjet e teknologjisë informative, si kamerat vëzhguese për vendvotime, QKN dhe materialet tjera.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për deakreditimin e 2 organizatave vëzhguesve Youth Development & Corporation – YDC/ Rinia për Zhvillim dhe Bashkëpunim (12 vëzhgues) si dhe Iniciativa për progres (7 vëzhgues), pasi këto organizata në statutin e tyre nuk i kanë fushëveprim të drejtat e njeriut dhe proceset zgjedhore.

Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për miratimin e planit operacional për ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor 2025, me anë të të cilit planifikohet organizimi i punës së KQZ-së dhe bashkëpunimit me institucione të ndryshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor./D.B/EO

Exit mobile version