Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar sot (12.02.2026) rekomandimin për 18 kandidatët e radhës, të cilët do të zënë vendet e ministrave të rinj të Qeverisë së Kosovës. Ky vendim vjen pas kërkesës zyrtare të Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, e cila pas votimit të Qeverisë së re, i është drejtuar KQZ-së për të rekomanduar emrat që do të zëvendësojnë deputetët që kanë kaluar në kabinetin e Qeverisë së re.
Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, shumica e këtyre zëvendësimeve i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka dërguar një numër të madh të deputetëve në kabinetin qeveritar. Për të plotësuar grupin prej 57 deputetësh, në Kuvend do të betohen: Egzon Azemi (në vend të Albin Kurtit), Fahrush Rexhepi (në vend të Glauk Konjufcës), Luan Aliu (në vend të Donika Gërvallës), si dhe Bajram Mavriqi (në vend të Hekuran Muratit).
Lista pasohet me emrat e tjerë që do të plotësojnë radhët e mazhorancës: Driton Hyseni (në vend të Xhelal Sveçlës), Enver Dugolli (në vend të Hajrulla Çekut), Avdullah Klinaku (në vend të Saranda Bogujevcit), Ejup Ahmeti (në vend të Arben Vitisë), Mytaher Haskuka (në vend të Armend Mujës) dhe Bylbyl Sokoli (në vend të Fitore Pacollit).
Gjithashtu, pjesë e legjislaturës së re do të jenë edhe Mimoza Shala, Arijeta Rexhepi, Ilir Qeriqi, Shqipe Isufi, Afërdita Hajrizi dhe Agon Batusha, të cilët zëvendësojnë ministrat e tjerë nga lista e LVV-së. Nga radhët e komuniteteve, KQZ ka rekomanduar Fridon Lalën dhe Lazar Radulović për të plotësuar ulëset e mbetura pas emërimeve në ekzekutiv.
Këta 18 kandidatë pritet të ftohen shumë shpejt në Kuvend për të dhënë betimin solemn, duke i kthyer kështu legjislativit numrin e plotë prej 120 deputetësh dhe duke zyrtarizuar përbërjen e re pas formimit të Qeverisë “Kurti 3”.
