Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar me aktivitetet e parapara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe aktet nënligjore.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se të gjitha aktivitetet që po kryhen nga ana e KQZ-së kanë për qëllim që arrihet deri te shpallja e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar.
“Të shtunën, në QNR ka filluar skanimi i listës së votuesve nga 2,533 vendvotimet e rregullta në të cilën nënshkruhen votuesit që marrin pjesë në votim. Skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta është i domosdoshëm para se të fillojmë me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse na ndihmon që të sigurohemi se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht. Pasi të kryhen këto procese, do të mund të fillojë numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës. Ashtu siç kemi thënë edhe më herët, ky proces planifikojmë të fillojë gjatë ditëve në vazhdim”, ka thënë ai.
Të dielën në mbrëmje, ai tha se ka përfunduar vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës.
“Ne i referohemi si “pako të supozuara me fletëvotime” pasi në këtë fazë nuk hapen zarfet që supozohet se përmbajnë fletëvotime. Kjo do të bëhet gjatë numërimit. Sipas të dhënave preliminare, procesit të vlerësimit apo verifikimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës i janë nënshtruar rreth 69 mijë pako, prej të cilave janë aprovuar rreth 63 mijë ndërkaq janë refuzuar rreth 4 mijë e 900. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj. Pra, këto janë vetëm të dhëna preliminare dhe në procesin e numërimit do të kemi shifrat plotësisht të sakta”, tha Elezi.
Procesit i vlerësimit, sipas ti përfshinë verifikimin nëse pakot e dërguara u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara.
Në përgjithësi, gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, 84,600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.
Nga 20,324 në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime.