Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar të dhënat nga numërimi i rreth 20 për qind të votave për kandidatët për deputetë, ku sipas përllogaritjeve me formulën D’Hondt janë dhënë edhe projeksionet e para për ulëset në Kuvend.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje me rreth 43 për qind të votave pritet të sigurojë 48 ulëse në Kuvend. Në krye të listës së kandidatëve më të votuar janë Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Donika Gërvalla, Xhelal Sveçla, Avni Dehari, Mimoza Kusari-Lila, Hajrulla Çeku dhe Ejup Maqedonci.
Ndërkohë, jashtë dhjetëshes së parë deri më tani kanë mbetur disa nga emrat e njohur të ish-deputetëve dhe kandidatëve të mëparshëm, si Agim Bahtiri, Agon Batusha, Fitim Haziri, Bylbyl Sokoli, Salih Zyba, Artan Abrashi dhe Rozeta Hajdari.
Në Partinë Demokratike të Kosovës, dhjetë kandidatët më të votuar përfshijnë Bedri Hamzën, Përparim Grudën, Arian Tahirin, Uran Ismailin, Sala Jasharin, Vlora Çitakun, Ganimete Musliun, Arben Mustafën, Mërgim Lushtakun dhe Enver Hoxhajn. Sipas projeksioneve, PDK pritet të sigurojë 24 ulëse në Kuvend, ndërsa jashtë listës së parë kanë mbetur Rrustem Mustafa, Xhavit Haliti dhe Nait Hasani.
Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas të dhënave aktuale, pritet të ketë 20 deputetë. Më të votuarit e saj janë Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Doarsa Kica-Xhelili, Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Ukë Rugova, Kujtim Shala, Anton Quni, Lutfi Haziri dhe Armend Zemaj.
Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet të sigurojë 8 ulëse, ku më të votuarit janë Ardian Gjini, Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Burim Ramadani, Time Kadrijaj, Agim Çeku, Arbër Tolaj dhe Albana Bytyqi.
Në rezultatet preliminare, pas numërimit të pjesshëm, Vetëvendosje prin me rreth 43 për qind, PDK është e dyta me rreth 21 për qind, LDK e treta me nën 18 për qind, ndërsa AAK e katërta me rreth 7 për qind. Votat e diasporës ende nuk janë përfshirë në numërim.
