Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e fundit për vitin 2023, në të cilën pritet të shqyrtohen edhe dy rekomandime që kanë të bëjnë me pezullimin e dy partive politike, Lëvizjes për Bashkëveprim dhe Partisë Socialdemokrate.
Sipas KQZ-së, arsyeja e pezullimit të këtyre dy partive politike vjen për shkak se ato nuk mbajtën kuvendet e tyre zgjedhore brenda afatit ligjor.
Gjithashtu, sipas sqarimeve nga KQZ, partitë politike të regjistruara në Kosovë, e kanë për obligim ligjor që të mbajnë kuvendin zgjedhor brenda 6 muajve nga data e regjistrimit të partisë dhe pastaj së paku çdo 48 muaj.
Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se Lëvizja për Bashkëveprim ka pasur për obligim që ta mbajë konventën/kuvendin zgjedhor deri më 8 dhjetor, ndërsa Partia Socialdemokrate deri më 15 dhjetor të këtij viti.
“Sipas rekomandimit që do të shqyrtohet në KQZ, këtyre partive politike u jepet një afat shtesë prej 45 ditësh që ta mbajnë konventën/kuvendin e tyre zgjedhor”, ka thënë Elezi.
Sipas tij, nëse partitë politike nuk mbajnë konventën/kuvendin zgjedhor as pas këtij afati shtesë, atëherë, sipas Rregullores për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, KQZ me vendim e çregjistron atë.