Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i të gjitha fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht atyre të dërguara përmes postës.
Sipas KQZ-së, nga 12 deri më 17 qershor janë numëruar 223 kuti votimi, në të cilat ishin vendosur zarfet me fletëvotime të aprovuara nga shërbimi votues.
Institucioni ka bërë të ditur se për zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin regjistruar rreth 105 mijë shtetas të Kosovës për të votuar përmes postës.
Më 14 qershor është përmbyllur edhe procesi i vlerësimit të 85,790 pakove me fletëvotime, prej të cilave 82,809 janë aprovuar, ndërsa 2,981 janë refuzuar.
Sipas rezultateve aktuale të publikuara nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë me 47.07 për qind të votave, duke siguruar 374,995 vota dhe 53 mandate në Kuvend.
Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 19.49 për qind të votave dhe 22 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka 16.74 për qind dhe 18 ulëse. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6.73 për qind të votave dhe 7 mandate në Kuvend.
/A.K/
