Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar sot kandidatët për deputetë të subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, me përjashtim të Listës Serbe, e cila nuk mori miratimin e komisionit.
Kundër certifikimit të kandidatëve të Listës Serbe votuan anëtarët e KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi. Sipas tyre, kjo parti është e përkrahur nga Beogradi zyrtar dhe nuk duhet të certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhje.
Pas votimit, rezultati ishte tre vota për, dy kundër dhe gjashtë abstenime. Me këtë balancë votash, kryesuesi i KQZ-së njoftoi se certifikimi i listës së kandidatëve të Listës Serbe refuzohet.
Lista Serbe kishte dorëzuar gjithsej 33 kandidatë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor.
