UBT News

KQZ njofton se ka pranuar kërkesat për shkarkimin e kryetarëve të tri komunave veriore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar tri kërkesa të ndara nga Kryesuesit e Kuvendeve Komunale për Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.

Pas kërkesave nga Kryesuesit e Kuvendeve Komunale të këtyre komunave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përgjigjur për ta, duke thënë se kërkesat po trajtohen dhe se brenda afatit 5 ditor KQZ do të përgjigjet.

Për këto përgjigje, KQZ do të bashkëpunojë me Agjencinë për Regjistrimin Civil, pasi që lista votuese buron nga ekstrakti i Regjistrit Qendror Civil.

Zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi, tha se Kryesuesit e Kuvendeve Komunale të këtyre tre komunave kanë kërkuar nga KQZ që t’i ofrojnë informata zyrtare për anëtarët e grupit iniciues dhe t’i ofrojnë informata lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20 për qind.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar në adresën zyrtare tri kërkesa të ndara nga Kryesuesit e Kuvendeve Komunale për Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.Së pari, të tre Kryesuesit e Kuvendeve Komunale kanë kërkuar nga KQZ, që t’i ofrojmë informatat zyrtare për anëtarët e grupit iniciues se a janë votues të komunave përkatëse. Së dyti, të njëjtit kanë kërkuar që t’i ofrojmë informatat lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20 për qind. Mund t’iu konfirmoj se këto kërkesa janë duke u trajtuar dhe brenda afatit 5 ditor KQZ do të përgjigjet. Për këto përgjigje, do të bashkëpunojmë edhe me Agjencinë për Regjistrimin Civil pasi lista votuese buron nga ekstrakti i Regjistrit Qendror Civil”, u shpreh ai.

Elezi theksoi se nga komuna e Zveçanit nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë të tillë.

Exit mobile version