Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është publikuar njoftimi për kontratë për përzgjedhjen e operatorit ekonomik për furnizim me kamera dhe pajisje përcjellëse për regjistrimin e të gjithë aktivitetit gjatë procesit të votimit dhe numërimit në ditën e zgjedhjeve në vendvotime në Republikën e Kosovës.
Afati për dorëzim të ofertave do të përfundojë më 11 korrik 2024. Të gjitha detajet për këtë procedurë tenderuese janë publikuar në platformën zyrtare E–Prokurimi.
Në përgjithësi, lidhur me përdorimin e kamerave në vendvotime gjatë proceseve të ardhshme zgjedhore, KQZ sqaron qytetarët e Republikës së Kosovës se:
- Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim;
- Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit;
- Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet ku evidentohen parregullësi me qëllim që t’iu ofrohen institucioneve ligjzbatuese;
- Në ditën e zgjedhjeve, KQZ nuk do t’i monitorojë këto kamera, pra regjistrimi nga ana e tyre do të bëhet në mënyrë pasive dhe se qasja në videoregjistrime mund të sigurohet vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligjzbatuese.