Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka filluar përgatitjet e para për zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Kosovës. Në mbledhjen e së enjtes, KQZ ka marrë vendim për miratimin e specifikave për furnizim me kamera që do të përdoren në vendvotime për zgjedhjet e ardhshme në Republikën e Kosovës. Shuma e përgjithshme e planifikuar për këtë aktivitet prokurimi sipas KQZ-së është 1 milion euro.
Për herë të parë, KQZ përdori kamerat në vendvotime në procesin për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, i cili u mbajtë më 21 prill 2024. Këto kamera, KQZ e Kosovës i kishte huazuar nga KQZ e Shqipërisë.
Anëtari nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani, tha se vendosja e kamerave në vendvotime, sipas KQZ-së, ka për qëllim ruajtjen e integritet të procesit zgjedhor.
Ndërsa anëtari i KQZ-së nga radhët e VV, Sami Kurteshi ngriti për diskutim çështjen nëse mund të bëhet ky furnizim nëse zgjedhjet mbahen së shpejti.
Sipas shpjegimeve që u dhanë në këtë mbledhje, kjo është një procedurë e rregullt prokurimi dhe do të ishte e pamundur që ky proces të përmbyllet deri në muajin korrik.
Në pjesën tjetër të mbledhjes, KQZ mori vendim për regjistrimin e iniciativës politike Romani Inicyativa si parti politike, e cila tani do të jetë pjesë e regjistrit të partive politike në Republikën e Kosovës. Sipas këtij regjistri, numri i partive politike të regjistruara është: 52.
Po në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për zhvillimin e takimeve të veçanta me Kryetarë të Komunave dhe me Kryesues të Kuvendeve Komunale për të diskutuar dhe bashkëpunuar lidhur me zbatimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.