Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka miratuar sot rregulloren regjistrimi dhe votimi jashtë Kosovës. Sipas KQZ-së, kjo rregullore përcakton mënyrën e regjistrimit për të votuar nga jashtë Kosovës, pranimin dhe evidentimin e dërgesave postare, procedimin dhe vlerësimin e aplikacioneve të pranuara përmes postës dhe platformës elektronike, procesin e konfirmimit dhe kundërshtimit, votimin përmes postës, vlerësimin e dërgesave postare të pranuara përmes postës dhe votimin në përfaqësi diplomatike. Gjithashtu gjatë votimit do të dërgohen 3 deri në 5 anëtarë në këshilla të vendvotimit.
Sipas anëtarit të KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Arianit Elshani kjo rregullore, rregullon të gjithë procedurën e regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës.
“Kjo rregullore, rregullon gjithë procedurën e regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës, duke përfshirë votimin në ambasadë, përmes postës, në ambasada dhe përmes postës në Kosovë. I ka parapa të gjitha çështjet”, ka thënë Elshani.
Ndërsa, deputeti i LVV-së, Sami Kurteshi, ka theksuar se është folur që prej të gjitha subjekteve politike të kërkohen përfaqësues të subjekteve që janë të gatshëm të marrin pjesë në këshillat e vendvotimit, me arsyen që të mos dërgohen njerëzit nga Kosova.
“Ne kemi menduar që prej të gjitha subjekteve politike të kërkohen përfaqësues të subjekteve që janë të gatshëm të marrin pjesë në këshillat e vendvotimit që të mos dërgojmë njerëz nga këtu”, ka shtuar Kurteshi.
Po ashtu, Fazli Stollaj, drejtori për Operacione Zgjedhore, ka shtuar se kjo rregullore do të garantojë zgjedhje të lira. Stollaj ka shtuar se rregullorja është komfort ligjit të miratuar dhe plotëson gjithë përfshirjen dhe komunitetin pakicë.
“Legjislacioni por edhe rregullorja do të garantojë që të ketë gjithë përfshirje në të gjitha këto mekanizma që do të garantojnë zgjedhje të lira. Departamenti i operacioneve zgjedhore që do tu dërgojë ftesë subjekteve politike për bërjen e këshillit të vendvotimeve edhe jashtë Kosovës do t’i dërgojë të gjithë atyre që kanë interes, kanë anëtarë kështu që besoj se kjo rregullore është komfort ligjit të miratuar dhe plotëson gjithë përfshirjen edhe komunitetit pakicë”, ka shtuar ai.
Gjatë vazhdimit të mbledhjes së KQZ-së është folur edhe për këshillin për buxhet dhe financa, shqyrtimin dhe miratimin e raportit të buxhetit dhe shpenzimet për periudhën janar- qershor 2024, shqyrtimi dhe miratimi i raportit të shpenzimeve të derivateve për periudhën janar-qershor 2024,informim dhe raportim të prokurimit për periudhën janar- qershor 2024 dhe shumë pika të tjera.