UBT News

KQZ miraton procedurën për votimin jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar procedurën për votim jashtë Kosovës, sipas së cilës, zarfi me fletëvotime duhet të pranohet nga personi i regjistruar.

Në mbledhjen e 54-të të KQZ-së, u tha se qëllimi i këtij dokumenti është të përshkruajë të gjitha veprimet për përgatitjen e materialve për votimin jashtë Kosovës.

Procedura parasheh që pakoja me fletëvotime që KQZ ua dërgon përmes postës votuesve jashtë vendit mund të pranohet vetëm nga vetë personi i regjistruar.

Zyrtari i postës duhet të sigurohet që të kontrollojë përmes dokumentit identifikues personin për të cilin është i dedikuar zarfime fletëvotime”, thuhet në këtë procedurë të KQZ-së.

Zarfi i cili do t’i dërgohet votuesit, përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës.

Në votimin jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotime ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së që hapen në shtete të ndryshme.

Sipas KQZ-së, adresat e kutive postare do të publikohen nga KQZ para fillimit të periudhës së votimit me postë.

Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim edhe për decertifikimin e 9 kandidatëve nga subjekte të ndryshme politike, si: Prishina në dorën tënde (1); Partia Demokratike e Kosovës (1); Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve (1); Partia Liberale Egjitpiane (2) dhe Alternativa (4). Këta kandidatë, ishin certifikuar më herët nga KQZ për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025./D.B/KP

Exit mobile version