UBT News

​KQZ: Mbi 46 mijë qytetarë me të drejtë vote në katër komunat veriore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar raportin jopërfundimtar të Listës së Votuesve për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Sipas këtij raporti, numri jopërfundimtar i qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna është 46 mijë e 248 votues apo 1 mijë e 153 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune të cilat janë mbajtur më 23 prill 2023, ndërsa numri i përgjithshëm i qendrave të votimit është 44. Këto i bëri të ditura anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani.

“Numri total i votuesve për këtë proces të votimit janë 46 mijë 248 votues në tërësi. Leposaviqi është me 13 mijë e 639 votues, Zubin Potoku me 6 mijë e 862 votues, Zveçani me 7 mijë e 201 votues dhe Mitrovica e Veriut me 18 mijë e 546 votues. Në krahasim me zgjedhjet që janë mbajtur në prill të vitit të kaluar numri i përgjithshëm është rritur me 1 mijë e 153 votues. Sigurisht në kuadër të kësaj rritje hyn kategoria që kanë mbushur 18 vjet gjatë kësaj periudhë kohore”, tha ai.

Po ashtu,me qëllim të funksionalizimit të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, janë caktuar Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së. Lidhur me këtë, në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për emërimin e rreth 20 anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, por që mund të plotësohet gjatë ditëve në vazhdim. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (2023) KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së.

Exit mobile version