Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është miratuar raporti i shpenzimeve për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, që kanë kushtuar 4 milionë 469 mijë e 764 euro.
Ndërsa për rritjen e shpenzimeve për dreka dhe për letër ka pasur reagime nga anëtarët e VV- në KQZ, derisa këto shpenzime i ka arsyetuar Kryesuesi i Këshillit për Buxhet Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
KQZ po ashtu vendosi që mos të hiqen kompensimet për punën shtesë për zgjedhjet lokale.
Në këtë mbledhje po ashtu është bërë edhe shqyrtimi dhe miratimi i rishikimit të buxhetit për vitin 2021. Elshani, theksoi se buxheti aktual i KQZ-së është 7 milionë e 64 mijë, dhe në këtë buxhet është i përfshirë edhe për raundin e dytë për zgjedhjet lokale që parashihet të mbahen në vjeshtë.
“Këshilli për Buxhet gjithashtu ka shqyrtuar raportin e shpenzimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2021. Mjetet financiare janë alokuar ato të cilat kanë qenë të dedikuara për zgjedhjet lokale në parlamentare. Ato mjete janë bartur dhe janë shpenzuar në zgjedhjet nacionale. Dhe nga planifikimet prej 5 milionë e 578 mijë e 712 euro janë shpenzuar 4 milionë e 469 mijë e 764 euro ose në total prej 80 përqind në raport me planifikimet e Sekretariatit”, tha Elshani.
Ndërsa, anëtari i Komisionit Sami Kurteshi ngriti çështjen e rritjes së shpenzimeve, për çka ai veçoi për letër, dreka zyrtare dhe uljen e shpenzimeve për derivate.
“Dreka zyrtare gati 7 mijë e 300 euro, me sa e di unë vitin e kaluar nuk kemi pasur takime zyrtare” tha Kurteshi.
Ndaj çmimeve për letër, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se vetëm vitin e kaluar janë shpenzuar gati 12 mijë euro pse 1 mijë euro më pak se vitin 2019.
Ndërsa, Arianit Elshani anëtar i KQZ-së) i cili prezantoi raportin e shpenzimeve, tha se trendi i këtyre shpenzimeve ka qenë më i ulët.
Sa i përket drekave zyrtare, ai tha se ato janë shpenzuar në raport me kryetarët e KKZ-ve dhe për anëtarë të KQZ-së dhe sekretariatin për shujta.
Gjatë rishikimit të buxhetit për zgjedhjet lokale të rregullta që do të mbahen sivjet, Kurteshi ka thënë se nuk duhet të ketë mëditje për orare shtesë.
Për këtë ka reaguar, anëtari tjetër i KQZ-së nga LDK-ja Florian Dushi, i cili tha se pavarësisht që janë zgjedhjet lokale sivjet të rregullta, duhet të vazhdoj praktika për kompensim të punës jashtë orarit për anëtarët e KQZ-së dhe tjerët.
Në këtë mbledhje kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka njoftuar anëtarët për përgatitjet e zgjedhjeve komunale që pritet të mbahen në vjeshtën e vonë të këtij viti. Po ashtu u theksua se aktualisht në Kosovë janë të regjistruara 47 parti politike.