UBT News

KQZ-ja rishikon buxhetin, për zgjedhjet lokale duhen mbi 7.5 milionë euro

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e radhës, ka shqyrtuar shpenzimet si dhe rishikimin e buxhetit për këtë vit.

Burim Ahmetaj, kryeshef ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, tha se janë duke bërë përgatitjet në kuadër të zgjedhjeve lokale.

Përderisa Arianit Elshani nga PDK-ja, ka bërë të ditur koston e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat u mbajtën më 14 shkurt. Sipas të dhënave të KQZ-së, këto zgjedhje i kushtuan buxhetit të Kosovës 4 milionë e 469 mijë e 764 euro.

Planifikimet për koston e këtyre zgjedhjeve kanë qenë më i madh, ka sqaruar ai, duke shtuar se kishin planifikuar 5 milionë e 578 mijë e 712 euro.

Po ashtu, sipas raporteve të KQZ-së këto zgjedhje kushtuan më pak se ato të vitit 2019, të cilat kishin kushtuar rreth 5.2 milionë euro.

“Janë analizuar periudhat janar-mars mbi koston e shpenzimeve, dhe shpenzimet janë mbi 4 milionë euro apo 34% dhe këshilli propozon që të miratohet”, tha Elshani i PDK-së.

Po ashtu është bërë edhe shqyrtimi dhe miratimi i rishikimit të buxhetit për vitin 2021, raporton EO.

Elshani, ceki se buxheti aktual i KQZ-së është 7 milionë e 64 mijë, dhe në këtë buxhet është i përfshirë edhe për raundin e dytë për zgjedhjet lokale që parashihet të mbahen në tetor.

Gjithashtu KQZ-ja ka miratuar kërkesën drejtuar Ministrisë së Financave, për t’u alokuar një buxhet shtesë prej 3 milionë e 886 mijë e 717 euro.

“Buxheti aktual i KQZ-së, është 7 milionë 64 mijë e 436 euro dhe për nevojat që ta përmbyllim këtë vit suksesshëm duhet të bëjmë një kërkesë edhe për 3 milionë e 886 mijë e 717 euro në Ministrinë e Financave për t’i aklokuar në kuadër të KQZ-së”, thanë nga KQZ.

Sipas Ligjit për zgjedhjet lokale, sipas kompetencave të Presidentit të Kosovës të përcaktuara me Kushtetutë, vendimi për të caktuar datën e zgjedhjeve bëhet jo më vonë se katër muaj dhe jo më herët se gjashtë muaj, para datës së zgjedhjeve.

Zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se 60 ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se 30 ditë pas përfundimit të mandatit.

Exit mobile version