Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me dhjetë vota për ka votuar pezullimin e subjektit politik “Graðanska Inicijativa Gore”, kjo për shkak që ky subjekt politik nuk ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor me datën e paraparë e që ka qenë 20 qershori i këtij viti. Por i është dhënë afat prej 45 ditësh që të mbajë të njëjtin.
Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike, Besnik Buzhala ishte ai që dha këtë rekomandim, duke thënë se Kuvendi është dashur të mbahej më 20 qershor.
“Kuvendi i radhës për t’u mbajtur nga ky subjekt politik data e fundit ka qenë 20 qershor 2024. Meqenëse subjekti politik nuk e ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor më datën 20 qershor 2024 atëherë zyra rekomandon që të pezullohet subjekti politik Graðanska Inicijativa Gore, me akronimin GIG dhe KZQ-ja të merr vendim dhe ta obligojë që për 45 ditë prej momentit të pranimit të këtij vendimi të mbajë Kuvendin Zgjedhor të radhës. Ky është rekomandimi sa i përket vendimit për pezullimin e subjektit politik Graðanska Inicijativa Gore”, ka thënë Besnik Buzhala.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tregoi që ky rekomandim u votua më 10 vota për, çka bëri që kjo parti politike të pezullohet.
“Me 10 vota për miratohet, ashtu që partia politike Graðanska Inicijativa Gore, pezullohet. Ndërsa, i jepet afat shtesë prej 45 ditësh që të mbajë Kuvendin e saj”, ka thënë kryetari Kreshnik Radoniqi.
Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, drejtori Besnik Buzhala rekomandoi regjistrimin e partisë politike, “Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës”.
Besnik Buzhala potencoi se ky subjekt politik është subjekt parlamentar i cili gjithashtu përfiton edhe mjete financiare nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike.
“Në lidhje me këtë subjekt politik sipas rregullores zgjedhore Nr.1/2024 është obliguar që të gjitha subjektet politike që janë si subjekte politike të certifikuara të regjistrohen si parti politike dhe në lidhje me këtë ky subjekt është liruar nga mbledhja e nënshkrimeve dhe pagesat e taksës dhe gjithashtu zyra i rekomandon KQZ-së që ta bëjë regjistrimin e këtij subjekti politik si parti politike e cila në rast të regjistrimit do të regjistrohet me numrin rendor 53”, ka shtuar Besnik Buzhala.
Ndërsa Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar të dijë nëse ka subjekte që nuk e kanë përfunduar procesin e regjistrimit.
“Dëshiroj të di nëse ka subjekte të tjera të cilat nuk e kanë përfundu procesin e regjistrimit si parti politike e që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës e që marrin fonde nga Fondi për Mbështetje të partive politike”, shtoi Elshani.
Derisa sipas Buzhalës Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës është subjekti i fundit që regjistrohet si iniciative qytetare. Andaj tha se nëse anëtarët vendosin për regjistrim shndërrohet si parti politike.
“Subjekti politik që ka fituar ulëse si iniciativë qytetare në këtë rast Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës është subjekti i fundit që regjistrohet si iniciativë qytetare nëse ju vendoni për regjistrim shndërrohet si parti politike”, shtoi ai.
E pas këtij diskutimi “Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës”, u regjistrua si parti me 10 vota për.
Tutje anëtarët e KQZ-së kanë miratuar rekomandimin për privim të përfitimit të mjeteve financiare nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike për subjektin politik Partia e Ashkëtinjve për Integrim për vitin 2025.
Buzhala ka thënë se kanë arritur në përfundim se subjekti politik nuk ka bashkëpunuar me zyrën ligjore të auditorit.