Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka prezantuar raportin lidhur me ecurinë e zbatimit të planit të aktiviteteve për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendi ne Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Sipas KQZ-së, është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 11 shtator 2024, janë pranuar 2,559 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 2,310, ndërsa 249 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit.
Gjithashtu, është duke vazhduar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 11 shtator janë pranuar 252 kërkesa për ndërrimin e Qendrës së Votimit, prej të cilave janë aprovuar 239, ndërsa 13 të tjera janë refuzuar.
Në këtë mbledhje u bë e ditur edhe se është duke vazhduar periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare Votuese, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 28 dhjetor 2024. Deri më 11 shtator, nuk është paraqitur ndonjë kërkesë për kundërshtimin e LPV.
Në vazhdim të pikave tjera të rendit të ditës, KQZ shqyrtoi dhe miratoi specifikat e fletëvotimeve dhe listave votuese për Zgjedhjet 2025 si dhe miratoi listën e Qendrave Komunale të Numërimit, e cila do të publikohet së shpejti.