UBT News

KQZ-ja njofton si do të organizohet votimi, për qytetarët që s’mund të shkojnë në vendvotim

Qindra ekipe mobile do të formohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me qëllimin e vetëm që më 9 shkurt 2025 t’iu mundësohet votimi personave me nevoja dhe rrethana të veçanta, të cilët në ditën e zgjedhjeve nuk mund të shkojnë në vendvotim.

Në programin e votimit të personave me nevoja dhe rrethana të veçanta përfshihen qytetarët me sëmundje apo aftësi të kufizuar që nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre, personat në spitale, personat e moshuar në shtëpitë e caktuara për të moshuarit, të burgosurit në burgje dhe të paraburgosurit në qendrat e paraburgimit, personat në strehimore për mbrojtjen e viktimave dhe personat nën arrest shtëpiak.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se ky institucion do të krijojë ekipe mobile në çdo komunë, të cilët në ditën e zgjedhjeve shkojnë nga njëra adresë në tjetrën, për t’iu mundësuar votimin e këtyre kategorive të ndryshme votuesish.

“Votuesit me nevoja dhe rrethana të veçanta ndahen në tri kategori kryesore. Në kategorinë e parë përfshihen votuesit me sëmundje apo aftësi të kufizuar për shkak të së cilës nuk mund të dalin nga shtëpia. Regjistrimi i tyre fillon më 4 janar dhe përmbyllet më 5 shkurt 2025. Në kategorinë e dytë përfshihen votuesit që ndodhen në institucione të ndryshme, siç janë spitalet, shtëpitë për të moshuarit, strehimoret për mbrojtje e viktimave, burgjet, qendrat e paraburgimit. Regjistrimi i tyre bëhet në bashkëpunim me institucionet përkatëse nga 30 janari deri më 5 shkurt 2025. Të njëjtit mund të regjistrohen edhe individualisht përmes platformës elektronike të KQZ-së (http://qv.kqz-ks.org). Dhe, në kategorinë e tretë, përfshihen votuesit në rrethana të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkaqe sigurie dhe votuesit që janë në arrest shtëpiak. Evidentimi i votuesve në arrest shtëpiak bëhet në bashkëpunim me institucionet përkatëse duke filluar nga 30 janari deri më 5 shkurt 2025”, tha Elezi.

Përveç mundësimit të votimit nga shtëpitë e tyre të këtyre tri kategorive votuesish, Elezi tha se KQZ do të vazhdojë të përkujdeset edhe për një kategori tjetër votuesish.

Ai bëri të ditur se KQZ-ja do të vazhdojë të krijojë kushtet për votim në vendvotime për personat e verbër dhe me të pamur të dobësuar.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ndër institucionet e rralla në botë që mundëson votimin e personave të verbër dhe me të pamur të dobësuar në mënyrë krejtësisht të pavarur dhe duke ruajtur fshehtësinë e votës. Kjo bëhet e mundur që nga viti 2009, qoftë në Zgjedhje Lokale apo ato për Kuvendin e Kosovës. Për çdo proces zgjedhor, pasi të miratohet dizajni dhe përmbajtja e fletëvotimit me subjektet garuese, KQZ shtypë shabllonët në shkrimin e Brailit, të cilët i dërgon në çdo Qendër Votimi. Këta shabllon në shkrimin e Brailit, janë lehtësisht të përdorshëm dhe shërbejnë për të vendosur fletëvotimin”, tha Elezi.

Exit mobile version