Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar të enjten Rregulloren Zgjedhore për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin dhe deklarimin financiar.
Kjo rregullore u votua me 8 vota për, ndërsa u përditësua neni 7 i saj, për materialet e fushatës së zgjedhjeve, ku u shtua se do të “ndalohet vendosja e materialit nga subjektet politike në ndërtesa apo objekte të banimit pa pëlqimin e banorëve dhe pa kontraktim”.
Rregullorja është pjesë e akteve nënligjore të harmonizuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar nga Kuvendi në vitin 2023, e cila përcakton rregullat dhe monitorimin e fushatës së zgjedhjeve, procedurat për kufizimin e shpenzimeve dhe deklarimin financiar për fushatën e zgjedhjeve.
Anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, tha se rregullorja përfshin shumë fusha e se grupi punues ka bërë një punë të jashtëzakonshme, mirëpo se neni për mbajtjen e tubimeve, sipas tij, është një kufizim i panevojshëm.
“Në rregullore janë përfshirë shumë fusha, grupi punues e ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Sipas neni katër, paragrafi 3, kërkohet që varësisht nga numri i pjesëmarrësve nga 100 apo 200 që të lajmërohet mbajtja e tubimeve 24 orë ose 48 orë, mendoj që është një kufizim i panevojshëm, sepse dallohen lehtë ndërsa tubimet e vogla mbahen në hapësira të mbyllura. Në rast se nuk kanë ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve konsiderohen shkelje administrative të dënohet me gjobë dhe gjoba shqiptohet nga KQZ”, ka thënë ai./UBTNews/