Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar buxhetin për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.
Buxheti i planifikuar për organizimin e këtij procesi është në shumën 233 mijë e 204 euro. Po ashtu KQZ-ja ka marrë vendim edhe për shkurtimin e kohëzgjatjes së afateve dhe miratoi Planin e Aktiviteteve për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në katër komunat veriore.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Alban Krasniqi, ka njoftuar se kanë trajtuar një sërë dokumentesh. Ai kërkoi poashtu që të miratohen afatet e reja.
“Këshilli për Operacione Zgjedhore ka trajtuar sot një sërë dokumentesh që kanë të bëjnë me përgatitjen e procesit të ri të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave nga funksionet e tyre në katër komunat dhe një prej tyre ka qenë edhe vendimi për caktimin e afateve dhe aktiviteteve për këtë proces të votimit dhe bashkangjitur gjeni dokumentet me afate ju e dini që është praktikë tashmë që kur ka qoftë zgjedhje të jashtëzakonshme por edhe të rregullta por sidomos kur ka organizime në këtë rast votim që shkon në procedura të zgjedhjeve të jashtëzakonshme atë herë KQZ sipas ligjit e ka të përcaktuar që t’i hartoj afatet e reja me kohën që e ka në dispozicion”, ka theksuar Krasniqi.
Derisa Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës tha se nuk mund të votoj pro pa i parë dokumentet.
“Këto afate do të duhej me rrjedh nga sot e tutje po fakti që këto 5 pika janë trajtu në Këshill të Operacioneve Zgjedhore dhe prej këshillit futemi drejt në mbledhje ka qenë e pamundshme me i pa këto dokumente duke fillu prej planit operacional që e kanë hartuar deri tek çështje të tjera të cilat janë pika të rendit të ditës. E kam të pamundshme për dokumentet që si kam pa të votoj pro”, ka thënë ai.
Sipas vendimit të KQZ-së, afatet kryesore për organizimin e këtij procesi i referohen afatit prej 44 ditësh.