Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka diskutuar të premten për koston e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare e lokale, në të cilën u vendos që kostoja totale e planifikuar për zgjedhjet parlamentare vetëm për angazhim të stafit për vitin 2025 të jetë prej 4 milionë e 381 mijë euro.
“Për zgjedhjet parlamentare për nevoja të KQZ-së dhe sekretariat brenda që është profesional, janë 234. Për nevoja të QKN dhe KKZ-së janë 516 dhe si trupa menaxhues të zgjedhjeve janë 23 mijë 180 persona. Pra në tërësi për zgjedhjet parlamentare planifikohet të angazhohen 23 mijë e 930 staf apo personel. Kostoja totale e planifikuar për zgjedhjet parlamentare vetëm për angazhim të stafit për vitin 2025 e kap shifrën prej 4 milionë e 381 mijë euro. Ndërsa për zgjedhjet lokale ku përfshihen zgjedhjet për kryetarë komune, e për kuvend komunal dhe raundi i dytë numri total i stafit, do të jetë 23 mijë e 920, derisa kostoja e saj është dyfishi. 8 milionë e 715 mijë euro. Kostoja totale e planifikuar është 13 milionë euro”, deklaroi ai.