Sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u mbajt takimi në mes të drejtuesve dhe përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme për të diskutuar për përgatitjet, bashkëpunimin dhe bashkërenditjen e aktiviteteve për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Në këtë takim, përveç kryesuesit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, morën pjesë Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Artan Abazi dhe Koordinatorja nga ky institucion, Fatime Dërmaku dhe kryesuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Zenel Leku.
Sipas KQZ-së në këtë takim, kryesuesi i KQZ-së, Radoniqi tha se bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor në krijimin e kushteve që procesi zgjedhor të zhvillohet sipas Kushtetutës dhe ligeve në fuqi të Republikës së Kosovës.
“Drejtues dhe përfaqësuesit e institucioneve treguan për planet e tyre lidhur me angazhimin në ditën e zgjedhjeve në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, në mënyrë që të garantohet mbarëvajtja e procesit zgjedhor”, thuhet në komunikatë.