UBT News

Kqira thotë se nuk e përfill vendimin e Osmanit për shkarkimin e tij

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka shkarkuar mbrëmë katër konsuj, e në mesin e tyre është edhe Lindon Kqira, Konsull i Përgjithshëm në Shkup.

Kqira u shpreh se ‘nuk e njeh dhe as nuk e përfill vendimin arbitrar dhe politik të u.d.Osmani’.

“Me vetëdije dhe përgjegjësi të plotë, deklaroj se nuk njoh dhe as nuk e perfilli vendimin për shkarkimin tim, nga pozita e Konsullit-Ministrit Këshilltar, në Ambasadën e Republikës së Kosovës, në Shkup, nga zonja Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe u.d. Presidentit të Republikës së Kosovës”, theksoi ai mes tjerash.

Sipas tij, ky vendim në radhë të parë është tendencioz, arbitrar, vendim politik dhe përçarës, e mbi të gjitha është antikushtetues.

“Zonja Osmani do duhej të merrej me punën e Kuvendit të Kosovës, i cili që nga ardhja e saj në krye të këtij kuvendi, në mënyrë aksidentale, ështe e vlerësuar si legjislatura më e dështuar e Kosovës nga themelimi i Kuvendit të Kosovës e deri më sot. Neglizhenca e situatës me pandeminë globale, kriza ekonomike, aprovimi i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe një varg ligjesh tjera jetike për qytetarët e Kosovës do duhej të ishin në agjendën e saj dhe jo shkarkimet arbitrare, antikushtetuese me qëllim të destabilizimit politik dhe futjes së hutisë në shërbimin diplomatik të Kosovës, në Shkup dhe kudo, për qëllime hakmarreje dhe të profiterizmit politik”, shkroi ai më tej.

Kqira thekson se ky vendim është në kundërshtim me nenin 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ngase sipas tij, këtë vendim e ka marrë pa konsultim paraprapk me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe Qeverinë e Kosovës.

“Në këto rrethana, kushdo që bënë përpjekje me zbatue këtë vendim të njëanshëm, përfshihet në shkelje Kushtetuese. Veprimet e mia karshi këtij vendimi, do të jenë në përputhje me dispozitat ligjore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe paralajmroj se kundër këtijë vendimi arbitrar të kryekuvendares, Osmani, do ta ndjekim rrugën ligjore, ndërsa unë do të vazhdojë normalisht punën dhe angazhimet ditore në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup”, përfundoi ai./UBTNews

Exit mobile version