Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur sot, nën udhëheqjen e kryesuesit Arian Gashi, takimin e 302-të, ku ka shqyrtuar disa çështje lidhur me funksionimin e sistemit prokurorial.
KPK-ja ka miratuar Mekanizmat e Raportimit vjetor për vitin 2025 për Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe atë në Gjakovë.
Në takim është caktuar prokurori Besnik Jakupi anëtar i Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, ndërsa Besart Mustafa është caktuar anëtar rezervë.
Këshilli ka shfuqizuar edhe një vendim të vitit 2025, përmes të cilit ishte autorizuar caktimi i dy prokurorëve për trajtimin e rasteve të Prokurorisë Speciale.
Po ashtu, KPK-ja ka vendosur të shfuqizojë memorandumet e bashkëpunimit të lidhura ndërmjet Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, KPK-së dhe organizatave të shoqërisë civile. Sipas KPK-së, format e bashkëpunimit në të ardhmen do të rregullohen përmes një rregulloreje të veçantë.
Për hartimin e kësaj rregulloreje, Komisioni për Çështje Normative, i udhëhequr nga Visar Krasniqi, është autorizuar që procesin ta zhvillojë me urgjencë, në bashkëpunim me mediat dhe organizatat e shoqërisë civile./A.K/
