Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka njoftuar sot se i është drejtuar me kërkesë Avokatit të Popullit që në zbatim të dispozitave kushtuese dhe ligjore të referojë Ligjin për Pagat në Sektorin Publik në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
KPK ka pasqyruar në këtë kërkesë komentet e vazhdueshme, të cilat janë bërë në lidhje me këtë ligj.
KPK konstaton se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik cenohet pavarësia dhe funksionalizimi i sistemit prokurorial për vetë faktin se kjo çështje është vendosur njëherë me Aktgjykimin numër KO 219/19 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
“Të gjitha pretendimet e ngritura nga KPK-ja, të cilat janë dërguar tek Avokati i Popullit, paraprakisht edhe tek hartuesit e këtij Ligji, janë të mbështetura në aktet dhe praktikat ndërkombëtare, të cilat kanë paraparë në mënyrë taksative se kur mund të zbritet paga e prokurorit të shtetit. KPK shpreh gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit, me qëllim të referimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
Po ashtu aty thuhet se KPK përkrah hartimin e një ligji për pagat në sektorin publik, i cili duhet të jetë i bazuar në praktikat dhe standardet më të mira ndërkombëtare dhe i cili nuk do të cenojë pavarësinë dhe funksionalizimin e asnjë pushteti.