Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Financave, Hekuran Murati të bëra dje gjatë ditës.
Në këtë reagim kërkohet që politikanë të jenë të kujdesshëm ndaj deklaratave dhe të mos pengojnë punën e prokurorëve, poashtu është thënë se tendencat e përfaqësuesve të Qeverisë ndaj Prokurorisë do të jenë të dështuara.
“Andaj, tendencat e akterëve të partive politike, përfshirë këtu përfaqësuesit e Qeverisë, të cilët synojnë të minojnë kredibilitetin dhe profesionalizmin e Prokurorisë Speciale, kanë qenë dhe do të jenë të dështuara. KPK dhe ZKPSH mbështesin Prokurorinë Speciale në ushtrimin e funksioneve të saj, përkatësisht në luftën e pakompromis ndaj të gjitha veprave penale që kjo prokurori i ka në kompetencë”, thuhet në reagim.
Derisa një ditë më parë, ministri i Financave, Hekuran Murati duke reaguar ndaj kritikave të opozitës për procedurat e prokurimit të realizuara përmes metodës së negociuar, tha se Prokuroria Speciale po lufton Kurtin dhe jo korrupsionin.