Policia e Kosovës ka sekuestruar ditën e sotme qindra kilogramë kokainë në një ngarkesë me mishi që vinte nga Shqipëria. Fillimisht u raportua se ngarkesa ishte mbi dy tonë, mirëpo ky informacion nuk mori konfirmim zyrtar deri në orën 14:30.
Në edicionin e orës 14:00, korrespondenti i Euronews Albania, Kosovë Gjoci, raportoi se autoritetet kanë konfirmuar për një sasi më të vogël se dy tonë drogë, konkretisht 250 kilogramë, të kapura në Lipjan, por që mbetet për t’u konfirmuar më tej në një konferencë për shtyp që pritet të mbajë policia.
Megjithatë burime të tjera për Euronews Albania thanë se sasia e drogës shkon në rreth 400 kilogramë. Sasia transportohej nga një kamion i kuq në një kontejner që ka lëvizur nga Italia në portin e Durrësit dhe pasi është pikasur nga policia është mbajtur nën vëzhgim për disa ditë deri në momentin e dorëzimit në Kosovë.
Ngarkesa u kap pas bashkëpunimit mes autoriteteve të të dyja vendeve dhe me autoritetet italiane dhe ato amerikane.
Importi, kryesisht i frutave, nga Amerika e Jugut është kthyer vitet e fundit në mënyrë transporti kokaine drejt Shqipërisë.
Në vitin 2018 autoritetet shqiptare në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë kapën 613 kilogramë në kontejnerin e një kamioni që i drejtohej një magazine fruta-perimesh. Ngjashëm përmes së njëjtës mënyrë janë kapur muajin e shkuar 143 dhe 49 kg të tjera drogë.
Për të paktën dy ngarkesa janë arrestuar Arbër dhe Selim Çakaj, të cilët kanë mohuar lidhjen me drogën duke pretenduar se ata ishin vetëm porositës të bananeve.
Policia shqiptare dyshon se grupet e strukturuara kriminale kanë lidhur marrëdhënie direkte me grupet e prodhimit të drogës në Amerikën e Jugut. Megjithatë deri më sot nuk ka pasur aksione të mëdha arrestimesh, apo konfiskimesh për lidhje me drogën.