UBT News

Kosovë: 105 persona të grup moshës 20-39 vjeç të infektuar me koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), ka njoftuar të mërkurën se nga 3,160 mostra të testuara për koronavirus, 221 kanë rezultuar pozitive.

Në mesin e personave deri 19 vjeç janë regjistruar 24 raste pozitive, ndërsa në grup moshën prej 20 deri në 39 vjeç, 105 raste.

Aktualisht, Kosova ka 888 raste aktive me koronavirus.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 108,844 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,268 kanë vdekur.

Zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetsisë Publike në Kosovë, kanë bërë të ditur se rreth 90 për qind të rasteve të infektimit me koronavirus në Kosovë, janë të lidhura me variantin Delta të këtij virusi.

Sipas tyre, ky variant, sikur edhe në shumë vende të botës, është dominues edhe në Kosovë.

Përveç variantit Delta, rreth 7-8 për qind e rasteve të infektimit janë me variantin Alfa, derisa në këtë shtet nuk ka prani të varianteve Beta dhe Gama.

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka paralajmëruar për rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus, si pasojë e përhapjes së variantit Delta të këtij virusi.

Sipas tij, arma e vetme kundër pandemisë, është vaksinimi.

Në Kosovë tashmë ka nisur programi i vaksinimit masiv kundër koronavirusit.

Në këtë vend ka vaksina të prodhuesve Pfizer/BioNTech dhe AstraZeenca.

Në 24 orët e fundit ndonjërën nga këto vaksina kanë marrë 14,616 persona.

Numri i personave të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave ka shkuar në 162,807, ndërsa shifra totale e vaksinave të dhëna është 460,297.

Exit mobile version