UBT News

Kosovarët blejnë barna më së shtrenjti në rajon, pritet miratimi i ligjit që rregullon çmimet

Kosova vazhdon të ketë treg të çrregulluar farmaceutik ndërsa qytetarët vazhdojnë të blejnë barna me çmimet më të shtrenjta në rajon, kjo në mungesë të infrastrukturës ligjore.

Ministria e Shëndetësisë synon që Ligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale sivjet ta miratojë në Kuvendin e Kosovës pasi aktualisht sipas tyre ligji ndodhet në fazën finale të hartimit.

Oda e Farmacistëve të Kosovës kërkon me urgjencë të miratohet ky ligj me qëllim të rregullimit të tregut farmaceutik, ndërsa Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje për KosovaPress, ka bërë të ditur se ligji parashihet të zbatohet për qarkulluesit me pakicë dhe shumicë të produkteve medicinale, nga përfaqësuesi i mbajtësit të autorizimit për marketing, mbajtësi i autorizimit për marketing dhe institucionet publike.

Po ashtu, parashihet që çmimet e produkteve medicinale të përcaktohen në bazë të metodologjisë së çmimeve referente të jashtme.

“Grupi punues për Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale i Ministrisë së Shëndetësisë është në fazën finale të hartimit të këtij ligji që përcakton çmimet e produkteve medicinale për shitësit me shumicë dhe pakicë në Republikën në Kosovës. Ky ligj, pas miratimit në Qeveri, ku do të dërgohet së shpejti pas marrjes së komenteve finale në draft, do të procedohet në Kuvend nga ekzekutivi dhe parashihet të zbatohet për qarkulluesit me pakicë dhe shumicë të produkteve medicinale, përfaqësuesi i mbajtësit të autorizimit për marketing, mbajtësi i autorizimit për marketing dhe institucionet publike. MSh pret që ligji gjithsesi të miratohet sivjet dhe të përcaktohet edhe dinamika e zbatimit konkret”, thuhej në përgjigjen e MSh-së.

Nënkryetarja e Odës së Farmacistëve të Kosovës, Dardane Mehaj thotë se prej 20 vitesh është shfaqur nevoja për një ligj që rregullon çmimet e produkteve medicinale.

Përkundër premtimeve të Ministrisë së Shëndetësisë që deri më 30 prill do të dërgohet ky projektligj në Qeveri, ajo thotë se ende nuk kanë parë asnjë lëvizje në këtë drejtim.

Sipas nënkryetares së Odës së Farmacistëve të Kosovës me këtë ligj çmimet e barnave do të jenë të njëjta në të gjithë Kosovën dhe po ashtu do të respektohet më shumë puna e farmacistëve.

Mehaj u shpreh se në mungesë të infrastrukturës ligjore qytetarët e Kosovës i paguajnë barnat më së shtrenjti në rajon.

Prandaj, ajo konsideron se përfituesit më të mëdhenj nga Ligji për rregullimin e çmimit të produkteve mediciale do të jenë qytetarët.

Edhe anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale flasin për rëndësinë e miratimit sa më të shpejtë të këtij ligji.

Sipas deputetit të PDK-së, BekIm Haxhiu, i cili është anëtar në këtë komision, me Ligjin për rregullim të çmimit të barnave do të ndaloheshin çmimet abuzive të produkteve medicinale.

“Jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse ju e keni parë që edhe në kohë krize por edhe pa kohë krize operatorët ekonomikë kanë abuzuar me çmimin e barnave, një çmim i cili ka kushtuar në vendet e rajonit por e marrim shembull 30 centë tek ne është shitur me 15 euro, kemi parë një abuzim me çmim të barnave gjatë kohës së pandemisë dhe së fundmi kemi një marrëveshje të UNOPS-it me MSh ku blerja e barnave edhe nga institucionet është bërë me çmime abuzive dhe kështu përfundimisht do t’i jepte fund këtij problemi të çmimit të barnave dhe parashihet pastaj rimbursimi i barnave për qytetarët… (Ligji) Do të ndikojë drejtpërdrejte në uljen e çmimit të barnave, do të ndihmonte drejtpërdrejtë qytetarët që t’i blejnë barnat më lirë dhe pastaj të ketë edhe rimbursim për barnat”, theksoi Haxhiu.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, vitin e kaluar kur Ministrinë e Shëndetësisë e drejtonte Arben Vitia ia kishte dorëzuar projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave të iniciuar nga ai. Po ashtu, ekziston edhe një udhëzim administrativ për rregullimin e çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale.

Exit mobile version