Kosova po ndërmerr hapa për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, ndërsa bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, me mbështetjen e partnerëve strategjikë, synon ta bëjë këtë proces më të qëndrueshëm.
Kështu u tha në një takim ndërmjet anëtarëve të Odës Ekonomike Amerikane dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Maqedonci prezantoi vizionin për zhvillimin e kapaciteteve industriale në fushën e mbrojtjes dhe foli për përpjekjet për hartimin e legjislacionit që rregullon këtë industri.
Ai falënderoi Odën Ekonomike Amerikane për bashkëpunimin me Ministrinë e Mbrojtjes gjatë dy viteve të fundit, përfshirë organizimin e garës së parë për drona “Sharkathon”, të mbajtur vitin e kaluar.
Sipas Maqedoncit, disa ndërmarrje të reja tashmë kanë filluar të sjellin produktet e para të prodhuara në Kosovë, duke treguar potencialin për zhvillim dhe inovacion teknologjik në këtë fushë.
Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me institucione të tjera, përfshirë Ministrinë e Arsimit dhe ofruesit e shërbimeve arsimore, për përgatitjen e kuadrove të nevojshme për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend./A.K/
