UBT News

Kosova shpallet zyrtarisht vend i sigurt për azil nga BE-ja

Bashkimi Evropian ka miratuar sot qëndrimin e tij për dy akte të rëndësishme ligjore që ndryshojnë mënyrën se si trajtohen kërkesat për azil brenda bllokut. Në një komunikatë zyrtare, Këshilli Evropian njoftoi se Kosova, së bashku me shtatë vende të tjera, është futur zyrtarisht në listën e “vendeve të sigurta të origjinës”.

Sipas Këshillit, këto rregulla të reja synojnë të krijojnë procedura më të shpejta dhe më efikase për personat që vlerësohet se nuk kanë të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare në BE.

Sot, Këshilli ka miratuar qëndrimin e tij mbi dy aktet ligjore të BE-së, të cilat do të forcojnë zbatimin praktik të koncepteve kryesore mbi vendet e sigurta në rregullat e azilit të BE-së. Këto ligjie të reja për migracionin synojnë të vendosin procedura më të shpejta dhe më efektive të azilit për ata që nuk duhet të marrin mbrojtje brenda BE-së” thuhet në komunikatë.

Çfarë nënkupton lista e re?

Përfshirja e Kosovës në listën e vendeve të sigurta nënkupton se aplikimet për azil nga qytetarët kosovarë do të trajtohen më shpejt dhe, në shumicën e rasteve, pritet të përfundojnë me refuzim. Kjo për shkak se BE vlerëson se Kosova garanton mbrojtje të mjaftueshme kundër persekutimit dhe shkeljeve të rënda të të drejtave themelore.

Megjithatë, autoritetet evropiane theksojnë se asnjë kërkesë nuk refuzohet automatikisht. Çdo rast individual mbetet i hapur për shqyrtim, nëse aplikanti paraqet rrethana specifike që justifikojnë nevojën për mbrojtje.

Për herë të parë, BE ka hartuar një listë të unifikuar të vendeve të sigurta të origjinës. Përveç Kosovës, në këtë listë janë përfshirë edhe: Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku, Tunizia

Kësisoj, kërkesat për azil nga qytetarët e këtyre vendeve do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara, që shpesh pritet të çojnë në refuzim ose në transferim të shqyrtimit në një “vend të tretë të sigurt”.

Rregullorja e re zgjeron përdorimin e konceptit të “vendit të sigurt të tretë”, i cili u mundëson shteteve anëtare të refuzojnë kërkesat për azil nëse aplikanti ka mundur të kërkojë mbrojtje në një vend tjetër të sigurt jashtë BE-së para se të mbërrinte në territorin evropian. Po ashtu, rregullorja hap rrugën që disa kërkesa të shqyrtohen drejtpërdrejt në vende të treta të sigurta.

Me këtë vendim, BE synon të reduktojë numrin e kërkesave të pabazuara, të rrisë efikasitetin e procedurave dhe të ketë një qasje më të unifikuar ndaj migracionit./UBTNews

Exit mobile version