Kosova nuk ka aplikuar për anëtarësim në ndonjë organizatë të huaj ndërkombëtare, edhe pse moratoriumi mbi këtë çështje ka gati pesë muaj që ka skaduar.
Moratoriumin njëvjeçar e parashihte një marrëveshje me Serbinë, e nënshkruar në Uashington, në shtator të vitit 2020.
Me këtë marrëveshje, Serbia ndaloi – po ashtu për një vit – fushatën kundër njohjeve të Kosovës.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë nuk japin detaje se kur dhe në cilat organizata synon të aplikojë Kosova për anëtarësim.
“Ky është një proces që i nënshtrohet një analize të thellë të kushteve dhe rrethanave dhe bazohet në prioritetet e politikës së jashtme dhe interesat strategjike të vendit, por varet edhe nga afatet e aplikimit në organizatat ku synohet anëtarësimi”, thuhet në një deklaratë të MPJD-së për Radion Evropa e Lirë.
Aty theksohet se prioritet është “krijimi i një strategjie për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, por nuk jepen më shumë detaje.
REL ka pyetur MPJD-në rreth përgatitjeve për aplikim edhe në muajin korrik – rreth një muaj para skadimit të moratoriumit – dhe atëbotë i është thënë se “parapërgatitjet në këtë drejtim po bëhen nga ekipet përgjegjëse, në mënyrë që të jemi gati kur të hapen afatet e aplikimeve nga organizatat”.
Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e MPJD-së, janë 117 vende të botës që e kanë njohur atë.
Për këta gati 14 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë financiare dhe sportive. Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.
Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.
Në planprogramin e Qeverisë aktuale të Kosovës, e cila është formuar në mars të vitit të kaluar, thuhet se “rëndësi të posaçme për Republikën e Kosovës paraqet anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe kultivimi i fqinjësisë së mirë”.
Aty po ashtu thuhet se ekzekutivi “do të angazhohet në funksion të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare”.
Në fund të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij planifikon që gjatë vitit 2022 të dorëzojë kërkesën formale për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Këtë e ka përsëritur ditë më parë edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, pas një takimi me shefat e përfaqësive të vendeve të BE-së në Prishtinë.
Burime të BE-së i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se “nuk shohin gjasa reale” që kërkesa e Kosovës për anëtarësim të miratohet, edhe pse BE-ja vazhdimisht përsërit se Kosova ka perspektivë evropiane.
Janë ende pesë vende të BE-së – Spanja, Sllovakia, Qiproja, Greqia dhe Rumania – që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Arbër Fetahu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Prishtinë, thotë se Kosova ka ende punë për të bërë, përpara se të aplikojë për anëtarësim në BE.
“Konsideroj se para aplikimit për anëtarësim, Kosova duhet të punojë fort për zbatim të plotë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe t’i implementojë reformat e parapara, pastaj rruga për BE vjen gradualisht në bazë të metodologjisë së zgjerimit”, thotë Fetahu për Radion Evropa e Lirë.
Kosova ka nënshkruar MSA-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në BE, në vitin 2015.
MSA kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile i përmbushin standardet e BE-së.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në të njëjtën pozitë si Kosova – do të thotë vetëm me MSA – është Bosnje e Hercegovina. Serbia dhe Mali i Zi kanë hapur disa kapituj negociatash për anëtarësim në BE, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të nisjes së këtyre negociatave.
Opozita: Nuk kemi informata nga MPJD
Deputetët e partive opozitare në Kosovë, që janë pjesë e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, thonë se udhëheqësit e MPJD-së nuk i kanë njoftuar asnjëherë rreth procesit të aplikimit për anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi, thotë se MPJD është dashur ta shfrytëzojë kohën e moratoriumit njëvjeçar që të përgatitet për aplikim në organizata ndërkombëtare.
“Po të kishim politikë të jashtme aktive e pa skandale, mundësi e mirë është aplikimi në Këshill të Evropës, INTERPOL dhe NATO – si organizata më të rëndësishme për Kosovën në fazën në të cilën jemi”, thotë Musliu-Shoshi, pa specifikuar se për cilat “skandale” e ka fjalën.
“Sidoqoftë, ne si deputetë dhe anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme nuk kemi informata se në cilën fazë të përgatitjes së anëtarësimit është MPJD”, shton ajo.
Sipas deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, MPJD-së i mungojnë përgatitjet konkrete për këtë çështje.
“Një periudhë njëvjeçare është e mjaftueshme që vendi të përgatitet, sepse nuk mund të aplikohet ad-hoc për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, për shkak se nga praktikat e mëhershme – edhe pse është lobuar shumë – ne kemi parë se ka pasur vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por nuk kanë votuar pro anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thotë Kadriaj.
Fushata e Serbisë kundër Kosovës
Serbia ka nisur fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës në vitin 2017.
Sipas autoriteteve serbe, janë rreth 18 shtete që i kanë tërhequr njohjet – në mesin e tyre: Surinami, Burundi, Liberia, Ishujt Solomon, Madagaskari, Togo, Republika Qendrore e Afrikës, Gana, Siera Leone e të tjera.
Fushata e Serbisë po ashtu ka bërë që Kosova të mos anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe në Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).
Nuk është e qartë nëse Serbia e ka rinisur fushatën e saj pas skadimit të moratoriumit, të paraparë me Marrëveshjen e Uashingtonit./REL