UBT News

Kosova pranohet anëtare në Konferencën e Gjykatave Kushtetuese Evropiane

Në Tiranë janë mbledhur së bashku drejtues të gjykatave kushtetuese nga vendet e Evropës, në kuadër të zgjedhjes së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë si gjykata kryesuese e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane (Conference of European Constitutional Courts – CECC) për periudhën 2024 – 2027.

Pjesë e aktivitetit “Takimi Përgatitor i Rrethit të Kryetarëve të Kongresit të XX-të të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane” ishte edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Türkiyes, Kadir Özkaya.

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Konferencën e Gjykatave Kushtetuese Evropiane.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Konferencën e Gjykatave Kushtetuese Evropiane, pas 13 vitesh nga aplikimi i saj në vitin 2011. Ky vendim shënon një moment historik për Kosovën dhe për sistemin e saj kushtetues, duke e integruar atë plotësisht në rrjetin evropian të gjykatave kushtetuese“, thuhet në njoftim.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Holta Zaçaj, në fjalën e saj në aktivitet ka theksuar se jurisprudenca kushtetuese që krijojnë shtrihet përtej sallave të gjykatave, duke shtuar se formëson jetën e qytetarëve dhe të ardhmen e demokracive.

Sot, takohemi në një moment të jashtëzakonshëm mundësish për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në të gjithë kontinentin tonë dhe, në fakt, në mbarë botën. Ndërsa përballemi me sfida të përbashkëta, gjithashtu kemi para vetes mundësi të pa hasura më parë për të forcuar traditat tona kushtetuese. Kjo epokë na fton të risjellim e të riafirmojmë angazhimin tonë ndaj pavarësisë gjyqësore si dhe të lartësojmë të drejtat themelore në mënyrë që të frymëzojnë brezat e ardhshëm“, tha ajo.

Zaçaj u shpreh se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë shërben si një pasqyrë dhe një udhërrëfyes, sipas saj, duke reflektuar vlerat e shoqërisë.

Takimi i sotëm është organizuar në kuadër të Presidencës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë si gjykata kryesuese e CECC-së dhe si organizatore e Kongresit të XX-të të kësaj konference, që do të mbahet në maj të vitit 2027.

Në aktivitet morën pjesë kryetarë dhe përfaqësues nga 32 gjykata kushtetuese anëtare të CECC-së. CECC mbledh së bashku përfaqësues të dhjetëra gjykatave kushtetuese evropiane dhe organizon kongrese në intervale të rregullta.

Exit mobile version