Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë nënshkruar marrëveshjen financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin vjetor IPA 2023.
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Besnik Bislimi tha se me këtë marrëveshje Kosova fiton mjete në vlerë prej 75 milionë euro në sektorin e energjetik.
Ai po ashtu ka kujtuar viktimat në Ukrainë, në njëvjetorin e luftës. Derisa tha se Kosova solidarizohet me Ukrainën dhe i njeh dhimbjet që kanë kaluar.
“Sot në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes bëhen një vit nga agresioni rus në Ukrainë, andaj e shoh të rëndësishme që sot të kujtoj me dhimbje gjithë viktimat e kësaj lufte. Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën, por Kosova i njeh mirë dhimbjet që ka kaluar Ukraina, pasi që edhe ne vet kemi kaluar. Dhe sot kam kënaqësinë ta nënshkruaj këtë marrëveshje e cila në këtë ditë i është dedikuar financimit në fushën e energjisë. Nga ky program Kosova fiton mjete në vlerë prej 75 milionë euro dhe marrëveshja hyn në fuqi sot”, tha Bislimi.
Bislimi po ashtu falënderoi BE-në për mbështetjen e tyre, derisa shtoi se ky besim inkurajon që të punojnë edhe më shumë. Ndërsa ka bërë thirrje qytetarëve të jenë më kontribuues në adresimin e këtij programi
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur i kënaqur për këtë ndihmë financiare që po ofron BE, në mënyrë që Kosova ta tejkalojë krizën energjetike. Derisa tha se është simbolike që nënshkruhet sot kjo marrëveshje posaçërisht një vit prej luftës nga Ukraina.
“Jemi të gatshëm që të përkrahim Kosovën në tranzicionin energjetik dhe ta implementojmë strategjinë energjetike”, tha Szunyog.
Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka treguar veçantinë e këtij programi.
“E veçanta e këtij programi për dallim nga të tjerat është se është plotësisht i ndërtuar mbi bazën e kapaciteteve tona institucionale, dhe jam e bindur se do të ketë sukses”, tha ajo.