Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia përparim në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili proces, siç tha ai, nuk është duke vazhduar ashtu siç e mbështet aleanca e NATO-s.
Në një prononcim për media, Rutte, u shpreh i kënaqur me përpjekjet e Gjermanisë për të afruar vendet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, siç ishte takimi në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe fakti që dialogu Prishtinë-Beograd, të cilin e mbështesim, nuk po ec përpara siç do të dëshironim. Jam shumë i kënaqur me takimin që u mbajt në Berlin këtë javë nën udhëheqjen e kancelarit Scholz ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse e di që Gjermania po punon veçanërisht shumë për ta afruar atë grup me BE-në, afër NATO-s, për ata që nuk janë ende në NATO”., tha Rutte
Dinamikë të re në proces të dialogut kërkoi edhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit. Ai përsëriti se e ardhmja evropiane e Kosovës dhe Serbisë lidhet me rezultate në dialog.
Trysnia e bashkësisë ndërkombëtare për përparim në dialog, sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, duhet të bëhen mbi Serbinë, si palë destruktive në procesin e dialogut.
‘’Procesi i dialogut ndodhet në një udhëkryq për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të Serbisë e cila refuzon të nënshkruaj marrëveshjen bazë të Brukselit, refuzon ta zbatojë atë dhe angazhohet për ta shkelur atë. Kjo marrëveshje është shkelur tashmë disa herë nga ana e Serbisë, ndërkohë që nuk kemi pasur reagim të vendosur, të drejtpërdrejtë të BE-së si fasilitues i këtij procesi. Nuk mund të paguaj Kosova çmimin e destruktivitetit të Serbisë”, tha Rrustemi.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar kushtëzime shtesë për Kosovën dhe Serbinë sa i përket përfitimeve të mjeteve financiare nga plani i rritjes i BE-së.
Sipas zëdhënëses së BE-së, Ana Pisonero, ndarja e këtyre mjeteve e që për Kosovën janë paraparë rreth nëntë milionë euro, do të bëhet vetëm pas vlerësimit të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, i cili ka nën mbikëqyrje edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ajo që mund të them është që këto parakushte do të vlerësohen nga Komisioni përpara pagesave, dhe do të llogarisim rolin dhe kontributin e Shërbimit të Jashtëm të BE-së”., tha Pisonero.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian, po i mban në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës pavarësisht se Qeveria konsideron se janë plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e tyre.
Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, tha se ndërlidhja e dialogut me përfitimet nga fondi i BE-së dhe mos heqja e masave ndëshkuese thellon padrejtësinë ndaj Kosovës.
‘’Ndërlidhja është e gabueshme. Masat kanë qenë të padrejta që në fillim. Masat duhet të hiqen sa me parë sepse Kosova është palë konstruktive. Plani i rritjes së BE-së është mbi bazën e reformave. Kosova ka dorëzuar planin e reformave dhe ato janë miratuar nga BE-ja dhe mendoj se ndërlidhja e Planit të Rritjes duhet të bëhët në raport me përmbushjen e reformave, nuk duhet të devijohet kriteri në një proces që nuk varët vetëm nga Kosova.”, tha Rrustemi.
Përparim në proces të dialogut po kërkon edhe SHBA-ja. Ambasadorja e SHBA-së në NATO, Julianne Smith, tha të mërkurën se institucionet e Kosovës i kanë të qarta thirrjet se nevojitet investim më i madh në dialog në mënyrë që Kosova të jetë pjesë e programit për Partneritet për Paqe në kuadër të NATO-s.
“Ne, gjithsesi, e vlerësojmë programin e Partneritetit për Paqe. Jemi të kënaqur që kemi parë interes të madh nga Kosova për t’iu bashkuar Partneritetit për Paqe. Por mendoj se miqtë tanë në Kosovë i kanë dëgjuar thirrjet tona të zëshme dhe të qarta. Ne duam që ata të vazhdojnë të investojnë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian“., tha Smith.