Rreth 20 mijë raste aktive me Covid-19 dhe dhjetëra jetë të humbura në ditë, janë shqetësimi kryesor i autoriteteve shëndetësore dhe qeverisëse të Kosovës. Që prej mesit të muajit gusht, shifrat e infektimeve kanë përjetuar një rritje të përshpejtuar, duke vendosur në vështirësi ekipet mjekësore. Kjo situatë ishte jashtë parashikimeve edhe të menaxhimit nga qeveria.
Rritjen e shpejtë të rasteve dhe nevojës së qytetarëve për t’u shtruar, nuk e kanë parashikuar as autoritetet shëndetësore.
Varianti Delta ka një përhapje mjaft të madhe në Kosovë. Pakujdesia e qytetarëve gjatë verës, ndihmoi që infektimet të rriteshin shpejt. Virusi nuk po kursen as fëmijë dhe gra shtatzëna. Moshat e reja po ashtu kanë qenë të rriskuara, ku ka pasur edhe humbje të jetëve, raporton a2news.com.
Mjeku infektolog Salih Ahmeti, e kujton momentin kur ka nisur betejën profesionale, për të kuruar pacientët e parë nga koronavirusi. Në karrierën e tij 30-vjeçare, është përballur me shumë viruse dhe infeksione, por Covid-19 e detyroi të shfletonte sërish librat e të nisë konsultimet me kolegët e tij. Sjellja e virusit ishte e paparashikueshme dhe çdo pacient paraqiste simptoma të ndryshme.
E në këtë pikë, sytë drejtohen nga vaksinimi, si arma më e sigurt për të ndalur infektimet dhe humbjet e jetëve.
Pranë qendrave të vaksinimit në Prishtinë qytetarët kanë një pjesëmarrje të lartë. Të rreshtuar për marrjen e një doze janë edhe moshat e reja, ato të cilat nuk i kanë shpëtuar infektimeve ditët e fundit. Nisur nga kjo situatë që po rëndohet përsëri ditë pas dite qytetarët po e pranojnë më shumë vaksinimin dhe e shohin si mënyrën e duhur për të frenuar përhapjen e virusit.
Në Kosovë, qytetarët janë të detyruar të mbajnë maska edhe në ambiente e hapura, në të kundërt gjobat nisin nga 35 euro. Lokalet servirin vetëm në ambientet e jashtme, ndërsa aktivitetet janë të kufizuar. Që nga nisja e pandemisë janë konfirmuar mbi 155 mijë raste pozitive, nga të cilët mbi 2700 pacientë kanë humbur jetën.