UBT News

Kosova në skenën ndërkombëtare, UBT në garë të robotikës në Athinë

Kosova do të përfaqësohet në skenën ndërkombëtare të robotikës me pjesëmarrjen e ekipit të saj të talentuar në “FIRST Global Challenge”, një ngjarje që këtë vit zhvillohet në qytetin historik të Athinës.

Ekipi dinamik i UBT-së, i përbërë nga talentët e rinj Amar Rama, Leona Hajrizi, Era Nura dhe Harisa Haziri, do të ngjitet në skenën globale të inovacionit, nën udhëheqjen e mentores së tyre të angazhuar, Elita Hajrizi. Ekipi janë përgatitur të ballafaqohen me rivalë nga rreth 180 shtete të botës në një atmosferë globale të bashkëpunimit dhe inovacionit.

Tema e këtij viti, “Feeding the Future”, e sjell sfidën në qendër të një vizioni të qëndrueshëm për prodhimin dhe konsumimin e ushqimit. Ekipi kosovar po përgatitet në UBT, në laboratorët më të avancuar dhe inovativë të vendit për robotikën dhe mekatronikën, ku do të përfitojnë nga ekspertiza e ekspertëve më të mirë të fushës së robotikës dhe mentores Elitës. Këta laboratorë, të njohur për inovacionin dhe teknologjitë e fundit në robotikë dhe mekatronikë, ofrojnë një bazë të fortë për zhvillimin dhe implementimin e ideve novatore që do të sfidojnë standardet globale.

Në përfundim të garës, “FIRST Global Challenge” do të shpërblejë suksesin me medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta, dhe arritjet e ekipit do të reflektohen në mediat ndërkombëtare, duke i dhënë Kosovës një vend në dritën globale të teknologjisë.

Eventi ka për qëllim të frymëzojë dhe nxisë rritjen e të rinjve në fushën e STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë). UBT, si një lider në arsimin e avancuar në Kosovë, vazhdon të nxisë edukimin STEM që nga arsimi i mesëm, duke formuar breza të rinj të përgatitur për sfidat dhe mundësitë e të ardhmes në shkencë dhe teknologji.

Pjesëmarrja e UBT-së në “FIRST Global Challenge” është një dëshmi e përkushtimit të institucionit për të avancuar dhe mbështetur talentin rinor në një arenë globale. Kosova është gati të shkëlqejë dhe të tregojë forcën e saj në këtë garë prestigjioze, duke ndriçuar në botën e robotikës. /UBTNews/

 

Exit mobile version